Skip to main content

Raporti vjetor i konsoliduar 2021 “Mbi statusin e vështirësive financiare të NJVV-ve”,

Materiali u përgatit nga Drejtoria e Financave Vendore në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë me mbështejen e ekipit e projektit “Financat Lokale”.

Qeverisja vendore, në drejtim të menaxhimit të financave publike është një proces i vazhdueshëm, si rrjedhojë veprimet dhe mosveprimet e Kryetarëve të Bashkive në lidhje me krijimin e detyrimeve të prapambetura kanë ndikuar dhe janë mbartur në vite. Stoku i detyrimeve të prapambetura deri në fund të dhjetorit 2021 për njësitë e vetëqeverisjes vendore është 6.5 miliardë lekë me një ulje prej 7.2% në krahasim me vitin 2020. Në lidhje me strukturën e detyrimeve të prapambetura, vihet re se rreth 9% janë të natyrës së vendimeve gjyqësore, 56% e tyre janë të natyrës së shpenzimeve për investime dhe rreth 35% janë për shpenzime të tjera korrente. Në dallim nga viti 2020, vihet re një reduktim të detyrimeve për vendime gjyqesore dhe rritje e detyrimeve të natyrës së shpenzimeve të tjera korrente.

Performancë shumë të mirë financiare gjatë vitit 2021 kanë patur veçanërisht bashkitë Gjirokastër, Patos, Këlcyrë, Shkodër, Korçë me stok më të vogël se 1% të detyrimeve të prapambetura përkundrejt shpenzimeve të planifikuara. Të dhënat e raportit tregojnë qartë se 42 bashki e kanë mbajtur nën kontroll ose ulur deri në 10% stokun e detyrimeve të prapambetura në 2021 krahasuar me 2020 gjë që tregon se e kanë menaxhuar dhe monitoruar me sukses rrezikun që lidhet me detyrimet e prapambetura. Megjithatë vihet re që  9 bashki kanë një rritje të lehtë të stokut nga një vit në tjetrin, pavarësisht mbajtjes nën kontroll të gjëndjes financiare.

Krijimi i detyrimeve të prapambetura mund të rezultojë për shkak se bashkitë nuk arrijnë të planifikojnë dhe zbatojnë efektivisht buxhetet e tyre. Vihet re se bashkitë që demonstrojnë probleme financiare apo janë në vështirësi financiare janë më së shumti bashkitë me shpenzime të planifikuara për frymë për vitin 2021 nën mesataren prej 21,306 lekë për banorë. Statusi i vështirësisë financiare është përkeqësuar për 3 bashki: Bashkitë e Cërrikut dhe Belshit nga bashki me probleme financiare në bashki në vështirësi financiare; Bashkia Malësi e Madhe nga një bashki pa probleme financiare në 2020 në një bashki me vështirësi financiare në 2021.

Statusi Financiar i Bashkive në fund të vitit 2021

Nr. i Bashkive

% e detyrimeve të prapambetura ndaj shpenzimeve të planifikuara 2021

Situata Financiare  e fundvitit 2021

44 Bashki

Nga 0 deri 15 %

Pa probleme financiare

10 Bashki

 

Nga 16% deri 25%

Me probleme financiare

7 Bashki

Nga 26% deri 80%

Në vështirësi financiare

Nëse do të vlerësonim situatën e detyrimeve të prapambetura të bashkive përkundrejt shpenzimeve faktike të vitit 2021, vihet re një përkeqësim i treguesit të detyrimeve. Mesatarisht buxheti realizohet në masën prej 75.56% dhe 28 bashki kanë një tregues të realizimit të buxhetit nën mesatare. Në këto kushte, stoku i detyrimeve të prapambetura përkundrejt buxhetit të realizuar rritet. Situata në dy bashki është shumë më serioze ku detyrimet e prapambetura shënojnë respektivisht 91.23% dhe 90.54% të shpenzimeve faktike në vitin 2021. Në këto kushte, bashkitë duhet t’i vlerësojnë me kujdes angazhimet e reja financiare në kushtet e ritmeve të ulta të ekzekutimit të buxhetit.

Nisur nga impakti financiar në detyrimet financiare të qeverisjes së përgjithshme, një vëmendje të veçantë merr:

(i) rëndësia që Këshilli i Vetëqeverisjes Vendore dhe Kryetari i Bashkisë duhet t’i kushtojë menaxhimit të borxhit të prapambetur, planifikimit realist të të ardhurave dhe kujdesit në marrjen përsipër të angazhimeve të reja, si dhe

(ii) domosdoshmëria e monitorimit të ngushtë deri në kontroll direkt të angazhimeve publike që duhet të ushtrojë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkitë që rezultojnë me vështirësi financiare deri në paaftësi paguese.