Një bashkëpunim efektiv midis Projekteve “Bashki të Forta“ (BtF) dhe “Financat Lokale“ (LFP) realizoi përgjatë periudhës Maj-Qershor ofrimin e një cikël trajnimesh intensive me Këshilltarë të Këshillave Bashkiakë në 12 qarqet e vendit.
Midis temave të tjera të planifikuara, parashikimi realist i të Ardhurave si dhe identifikimi dhe menaxhimi i risqeve të mundshme, u trajtuan në detaje e në mënyrë të personalizuar për çdo Bashki, duke synuar përmirësimin e kapaciteteve të komisioneve të përhershme ekonomi-finance për të mbikëqyrur punën e administratës vendore dhe për një vendimmarrje sa më cilësore. Në këto 12 sesione trajnimi rajonale u përfshinë rreth 223 pjesëmarrës anëtarë të Këshillave Bashkiakë si dhe staf përgjegjës të administratave të Bashkisë që kanë një rol kyç në procesin e PBA.
Parashikimi realist i të ardhurave të veta në kuadrin e buxhetimit dhe planifikimit financiar është thelbësor për ruajtjen e shëndetit financiar të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, sigurimin e shpërndarjes efikase të burimeve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e besimit të publikut. Duke parashikuar me saktësi të ardhurat dhe nëpërmjet vendimmarrjeve të informuara të këshillave bashkiakë, qeverisja vendore mund të sigurojë qëndrueshmëri financiare dhe ofrim efektiv të shërbimeve për komunitetet e tyre.