Si dy funksione kyç dhe të lidhura ngushtë me njëra tjetrën në nivel bashkiak, funksioni Shërbimit të Taksapaguesve dhe Menaxhimi i Ankesave kanë një rol të pazëvendësueshëm në rritjen e pajtueshmërisë, uljen e kostove të administrimit, rritjen e besimit të publikut në sistemin tatimor vendor dhe mobilizimin e të ardhurave aq të nevojshme për bashkinë për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.
Në kuadër të aktiviteteve për arritjen e objektivit strategjik për fuqizimin e financave vendore si një shtyllë e rëndësishme e agjendës së decentralizimit, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Administratës Publike (ASPA) dhe Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore (AMVV), Projekti “Financat Lokale” i financuar nga SECO/Qeveria Zvicerane zhvilloi gjatë muajit Tetor 2024 një cikël trajnimesh rajonale me temë:“Funksioni i Shërbimit të Taksapaguesve, transparenca në llogaritje e mbledhjen e detyrimeve vendore; Menaxhimi i Ankesave/Apelimi Administrativ në nivel vendor”.
Në 4 sesionet një ditore të trajnimeve rajonale të organizuara përkatësisht në Vlorë, Korçë, Shkodër e Tiranë, u synua përmirësimi i kapaciteteve teknike të zyrtarëve vendorë në kuptueshmërinë e kuadrit ligjor dhe aftësimi i tyre për hartimin, rishikimin e rregulloreve dhe dokumentave të tjerë bashkiakë në menaxhimin e shërbimit të taksapaguesve dhe ankesave/apelimit administrativ.
148 pjesëmarrës nga departamentet e të ardhurave, ligjor dhe auditë të brendshëm nga 53 bashki diskutuan gjerësisht rreth çështjeve kyç të dokumentave-model të prezantuara, duke zhvilluar një vizion më të qartë e afat-gjatë për misionin e administratës së të ardhurave, rolin e saj në fuqizimin e financave bashkiake, që influencon direkt në ofrimin e shërbimeve dhe sjelljen e administratës më afër qytetarit.