Ditën e mërkurë, më datë 26 qershor u zhvillua në Pogradec, një tryezë e rrumbullakët e ekipit të projektit të Financave Lokale me sekretarë të përgjithshëm, drejtues auditi, drejtues të financave, urbanistikës, prokurimit dhe investimeve të bashkive për finalizimin e hapave kryesorë të punës dhe ndarjen e roleve dhe përgjegjësive gjatë kryerjes së dy proceseve të rëndësishme:
(i) Menaxhimi i Kontratave
(ii) Menaxhimi i Mjeteve Monetare të bashkisë.
Duke përshkruar me përpikëri çdo hap që nga kërkesa për shërbimin/investimin, fillimin e kontratës deri në mbylljen përfundimtare, duke përfshirë miratimet fillestare, ndryshimet, komunikimet më operatorin, marrjen në dorëzim, pagesat dhe mbylljen përfundimtare, gjurma e auditimit shërben si një mbrojtje kundër mashtrimit, gabimeve dhe keqmenaxhimit. Në fund të fundit, adoptimi i dokumenteve të mësipërme dhe zbatimi i tyre nga të gjitha bashkitë jo vetëm që përmirëson sistemet e tyre të kontrollit të brendshëm, por gjithashtu promovon integritetin dhe besimin në operacionet e bashkisë.
Falenderojmë ekspertët e bashkive Tiranë, Gjirokastër, Pogradec, Korçë, Përmet dhe Devoll për kontributin e vyer që do të finalizohet me dy manuale procesesh në formën e gjurmëve të auditimit, të cilat do të përmirësojnë më tej transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha bashkitë.
Falenderim i veçantë për ekspertët e Ministrisë së Financave që nderuan me pjesëmarrjen në këtë takim.