Administrimin e Borxhit Tatimor dhe çështje që lidhen me praktikat më të mira të administrimit të borxhit ishin në qendër të diskutimeve në Workshop-in e 5 Mars 2021, që ekipi i projektit “Financat Lokale” organizoi me pjesmarrjen e 10 ekspertë vendorë përfaqësues të 4 Bashkive partnere si Korça, Pogradeci, Lushnja dhe Tirana. Diskutimet prekën edhe aspekte të lidhura me legjislacionin dhe raportimin në struktura më të larta apo Këshillin Bashkiak.
Nisur nga fakti që Borxhi Tatimor, si një e ardhur publike e munguar, mund të kompromentojë integritetin e procesit të parashikimit të të ardhurave, Projekti i SECO-s “Financat Lokale” po punon me Bashkitë partnere për hartimin e një modeli rregulloreje të këtij funksioni, që e adaptuar nga NJQV sipas specifikave të veta, do të ndihmonte në institucionalizimin e administrimit të borxhit duke arritur në evidenca të sakta për vlerën dhe moshën e borxhit tatimor përkatës.
Miradministrimi i Borxhit Tatimor në nivel vendor, si një nga funksionet bazë të administrimit tatimor, merr një rëndësi të veçantë sidomos në kushtet aktuale të shkaktuara nga pandemia, kur NJQV gjenden para sfidës për sigurimin e të ardhurave për kryerjen e shërbimeve për komunitetin. Ndërsa, Raportet më të fundit të FMN tregojnë për një nivel borxhi tatimor rreth 40% (39,4 % në fund të 2019) të të ardhurave tatimore të planifikuara në nivel qendror, NUK ka një evidencë të saktë të këtij borxhi në nivel vendor, por informacione nga burime të ndyshme tregojnë një borxh tatimor vendor mesatar, në nivele afërsisht të njëjta.