Skip to main content

Buxheti 2023 në Kuadrin e Procesit Pilot – Takim Konsultativ me Bashkitë Korçë, Gjirokastër dhe Mirditë.

Projekti i Financat Lokale në bashkëpunim me DFV/MFE organizoi një takim konsultativ me Drejtuesit e Financës dhe Buxhetit të bashkive Korçë, Gjirokastër dhe Mirditë. Këto tre bashki u përfshinë në vitin 2022 në një proces pilotimi të një qasje të re të përgatitjes së PBA dhe menaxhimit të buxhetit vjetor. 
Kjo qasje e re që është në përputhje të plotë me kuadrin ekzistues legjislativ, rikoncepton strukturën e programeve buxhetore të NJVV duke ulur numrin e tyre, dhe ndër të tjera synon të përforcojë fokusin në menaxhimin e shërbimeve publike, reduktimin e ngarkesave administrative në menaxhimin e buxhetit, të konsolidojë buxhetet dhe ulë nevojat për transferime, të plotësojë dhe përmirësojë cilësinë e raporteve fiskale të gjeneruara në nivel vendor.
Në takim u prezantuan arritjet pozitive të vrojtuara gjatë zbatimit të kësaj qasje të re me këto bashki pilot gjatë dy fazave të para të përgatitjes së PBA-së si dhe u diskutuan detajet dhe kërkesat e udhëzimit plotësues që po përgatit MFE për këto bashki për rregullimin e fazës së tretë të finalizimit të PBA 2023-2025 dhe përgatitjes së Buxhetit 2023.
Përfaqësuesit e bashkive dhe MFE në takim u shprehën pozitivisht për përparësitë që kjo qasje e re sjell si dhe garantuan angazhimin e tyre për përfundimin me sukses të këtij pilotimi, e parë kjo edhe në përputhje me objektivat e vendosura nga qeveria në Projekt Buxhetin e Shtetit 2023.