Është viti i tretë që njësitë e vetëqeverisjes vendore raportojnë rregullisht mbi statusin e vështirësive financiare si dhe monitorohen ngushtë nga MFE, gjë që ka sjellë dhe një vëmendje të shtuar për përmirësimin e raportimit financiar në nivel vendor. Është pikërisht cilësia e raportimit financiar që luan rol vendimtar për një vendimarrje të informuar, rritjen e llogaridhënies ndaj Këshillit Bashkiak dhe taksapaguesve dhe përmirësimin e transparencës së bashkisë. Përtej përpjekjeve të vetë njësive të vetqeverisjes vendore për përmirësimin e cilësisë së raportimeve, është Sistemi i Thesarit i cili ka rol jo vetëm kontrollues por edhe suportues nëpërmjet ofrimit të formateve të raporteve financiare periodike gjatë procesit të planifikimit dhe zbatimit të buxhetit.
Marrë shkas nga sa më lart, në datat 20 dhe 21 Mars u zhvilluan ne Tiranë takime të përbashkëta midis drejtuesve të Sistemit të Thesarit dhe drejtuesve të financave të gjithë bashkive të vendit, aktivitet i përbashkët i Drejtorisë së Përgjithshme e Thesarit në MFE dhe projektit “Financat Lokale” (financuar nga SECO).
Dy tematikat kryesore mbi të cilat pati diskutime aktive dhe dakortësi midis përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse, ishin:
- Roli dhe tipologjia e raporteve financiare (20 raporte periodike), që me Urdhër të Ministrit të Financave do të sigurohen nga sistemi i thesarit për nevoja të menaxhimit të brendshëm, rakordimit, raportimit dhe vendimarrjes së njësisë vendore;
- Çështje të përditshmërisë mbi zbatimin e buxhetit, të dhënat financiare bazë për llogaritjen dhe raportimin e statusit financiar të njësive vendore.