Skip to main content

TAKIM MBI METODOLOGJINË E RE TË PËRGATITJES, ZBATIMIT DHE RAPORTIMIT TË BUXHETIT

Javën e kaluar u zhvillua në Tiranë takimi mbi metodologjinë e re të përgatitjes, zbatimit dhe raportimit të buxhetit me nënkryetarët dhe drejtuesit e financës së bashkive Lezhë, Berat, Elbasan, Lushnje, Devoll dhe Përmet. Ky proces i pilotuar me sukses vitin e kaluar në tre bashki të tjera, tashmë do të shtrihet gradualisht në të gjithë njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Zbatimi i metodologjisë së re nën mbështetjen direkte të Drejtorisë së Financave Vendore pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe ekspertëve të projektit Financat Lokale, ka sjellë si rezultate të para në bashkitë pilot:

- Riformulimin e strukturës së programeve të NJVQV-ve duke i përafruar ato me strukturat kryesore të menaxhimit të shërbimeve publike;
- Uljen numrin dhe rritjen e madhësisë së programeve buxhetore, duke siguruar një efektivitet dhe fleksibilitet më të lartë në përgatitjen, zbatimin dhe monitorimin e buxhetit;
- Përmirësimin e raportimit fiskal sipas funksioneve të NJVQV-ve;

Në përfundim të këtij takimi pune, bashkitë e reja të përfshira në procesin e këtij viti u qartësuan në lidhje me specifikat e metodologjisë së re dhe konkluduan në përgatitjen e draftit të parë të programeve të tyre të reja buxhetore.  Puna do të vazhdojë me përgatitjen e planeve të performancës dhe shpenzimeve për programet e reja.

Bashkitë u shprehën entuziaste mbi rëndësinë e implementimit të metodologjisë së re në përputhje të plotë me përcaktimet e udhëzimit të MFE dhe u dakordësuan mbi rëndësinë e madhe që merr roli i lidershipit të bashkive në këtë proces dhe ndihmës teknike që do të vazhdojë të japë projekti Financat Lokale.