Skip to main content

Takime tematike me grupet e menaxhimit dhe koordinimit të riskut të bashkive

Menaxhimi i riskut, si një komponent i rëndësishëm i kontrollit të brendshëm, është procesi i strukturuar që përdoret për të identifikuar ngjarjet apo veprimet që mund të ndikojnë negativisht realizimin në kohë dhe cilësi të aktiviteteve të organizatës deri në mosarritjen e objektivave te planifikuara qofshin këto strategjike, operacionale, apo te përputhshmërisë me ligjin.  Qëllimi është për të përcaktuar strategjinë ose planin për eliminimin ose minimizimin e ndikimit të këtyre rreziqeve, si dhe mekanizmat për të monitoruar dhe vlerësuar në mënyrë efektive këtë strategji/plan.

Në këtë kuadër është domosdoshmëri trajtimi i proceseve të organizatës, që përfshin ndarjen e detyrave, nivelet e kontrollit, mjetet për realizimin e tyre, rrjedhën e informacionit, etj. Proceset joefektive pengojnë arritjen e objektivave të organizatës, ndërsa proceset që janë joefikase, mund të jenë të suksesshme në arritjen e objektivave, megjithatë dështojnë të marrin në konsideratë kostot e larta të kryera për realizimin e tyre.

Krijimi i një kornize matëse (ndryshe Manuali i Procesit) përdoret për të përmirësuar menaxhimin e risqeve të procesit. Manuali i Procesit, që përbëhet nga harta e procesit dhe gjurma e auditimit, duhet të funksionojë si mjet për të identifikuar masat dhe kontrolluar rrisqet e lidhura me proceset. Këto masa përfshijnë dhe nuk janë të kufizuara në, shtimin e kontrolleve të brendshme në të gjitha aktivitetet e organizatës, trajnime shtesë të punonjësve, kosto financiare të zhvillimit të sistemeve të informacionit për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe raportimit për vendimarrjen, etj.

Gjatë vitit 2020-2021, ekipi i projektit Financat-Lokale po mbështet bashkitë partnere në procesin e rritjes së kapaciteteve në fushën e kontrollit të brendshëm, vecanërisht për krijimin/zhvillimin e instrumenteve dhe metodave që përdoren për menaxhimin e risqeve të organizatës. Këu përfshihen ngritja dhe trajnimi i grupeve të koordinimit dhe menaxhimit të risqeve në secilën bashki, si dhe mbështetja online, takime të dedikuara me koordinatorët e riskut për hartimin e manualeve të proceseve deri ne përfundimin e planeve të menaxhimit për risqet kryesore të identifikuara dhe vlerësuara gjatë procesit. 

Përvec trajnimeve të zhvilluara nw 11 bashki, ndërkohë po finalizohen, në bashkëpunim me bashkitë:

(i) manualet e proceseve dhe planet e menaxhimit te risqeve që ndikojnë në menaxhimin e të ardhurave vendore (parashikimi i të ardhurave, mbledhja vullnetare dhe e detyruar e të ardhurave);

(ii) manualet e proceseve dhe planet e menaxhimit te risqeve që ndikojnë në menaxhimin e pasurisë në zotërim apo administrim të bashkive (krijimi, inventarizimi, vlerësimi, ruajtja, mirëmbajtja, dhënia me qera, nxjerrja nga përdorimi).