Skip to main content

Raporti 6 mujor mbi Performancën e Financave Vendore

"Projekti "Financat Lokale" ka mbështetur Drejtorinë e Financave Vendore në MFE për përgatitjen e Raportit për performancën e Financave Vendore gjatë periudhës 6-mujore Janar-Qershor 2021.

 

Të ardhurat e veta të pushtetit vendor përbëjnë 6% të totalit të të ardhurave publike në 6 mujorin e parë të vitit 2021 me një realizim prej 15.3 miliard lekë, ku 91% ose 13.9 miliarde e zënë taksat dhe tarifat vendore. Të ardhurat vendore paraqiten me performancë në rritje, jo vetëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 që i përket periudhës së mbylljes totale nga pandemia COVID-19 (36% më shumë), por ato paraqiten me rritje edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, respektivisht ne masen 4 % ( + 508 milione leke).

 

Shpenzimet e pushtetit vendor gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2021 janë rreth 24.3 miliard lekë ose rreth 42% të planit vjetor të miratuar, duke zënë rreth 9.2% të totalit të shpenzimeve publike të qeverisjes së përgjithshme.

Nga analiza e treguesve përgjithësisht vihet re që rritja kryesore e të ardhurave vjen nga grupi i taksave të pasurisë me rreth 59% kundrejt 2020 dhe 14% më shumë kundrejt vitit 2019.

 

Të grupuara sipas numrit të popullsisë, bashkitë me mbi 100 mijë banorë (11 bashki përfshi edhe Tiranën) kanë realizuar 82% të totalit të të ardhurave të veta vendore në rang vendi.

 

Nga pikëpamja strukturore, 3 lloje të taksave & tarifave vendore sigurojnë 71% të të ardhurave të  mbledhura nga NJVQV-të, duke përbërë burimin kryesor të financimit të politikave vendore në nivel vendi (pa përfshirë këtu transfertat dhe grandet): Taksa e ndikimit në infrastrukturë me 31%, Taksa mbi Ndërtesat me 21% dhe Tarifa pastrimi e higjene me 19% ndaj totalit të të ardhurave vendore të veta."  

Raporti 6 mujor.pdf (923.93 KB)